Spanjollët, çfarë ndodh brenda dyerve të “Grand Hotel Europa” dhe kërkesat e ekipit që luan sot kundër Shqipërisë
Pique dhe Injesta nuk kanë dalë nga hoteli. Janë duke shijuar mikpritjen shkodrane si jo më mirë, pavarësisht se jashtë dyerve të “Grand Hotel Europa” në qendër të Shkodrës ka shumë kuriozë që duan të marrin ndonjë autograf apo të bëjnë ndonjë foto.
Për drejtorin e Grand Hotel Europën gjithë këto ditë kanë qenë të vështira, që spanjollët, të paktën të kenë të gjitha gjërat e duhura.
“Gjithë hoteli është në dispozicion të tyre. Askush tjetër nuk hyn as në hollin poshtë dhe as në bare apo dhe në barin e katit të fundit. 50 dhomat këtu dhe 30 dhomat e Koloseut janë zënë me ekipin spanjoll. Madje duhet thënë se edhe security është e vetë ekipit, dhe jo shërbimi ynë apo policisë së shtetit” tregon për neësport.al Sokol Lekaj, drejtor i Grand Hotel Europa.
Nuk kanë ndonjë regjim të veçantë ushqimor. Hanë si çdo futbollist tjetër. Veçse, në kuzhinën e “Grand Hotel Evropës”, veç kuzhinierëve të hotelit, është edhe kuzhinieri spanjoll që asiston në nxjerrjen e pjetave, gramaturën, sasinë e kripës, apo çdo gjë tjetër.
Fileto pule, peshku, biftek, zarzavate zgare, qumësht, ujë e lëng portokalli, janë gjithçka që konsumohet prej tyre.
Askush nuk do që të bëhen foto, dhe futbollistët, për të lëvizur, dalin nga kati i parë në katin e tetë. Shkodrën e shohin vetëm nga lart, apo nga dhomat e hotelit. Secili ka dhomën e vet dhe preferon relax.
Sot paradite e kanë shfrytëzuar për masazh, pas dreke do të pushojnë e një snack para se të nisen në orën 19.00 në stadiumin Loro Boriçi.